Forcat e Armatosura Gjermane, ose Bundeswehr – kanë planifikuar të përdorin aplikacionin TikTok për të gjetur rekrutë të rinj. “TikTok është i domosdoshëm për të zbuluar mendjet e afta”, njoftoi sot në Berlin një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes. “Për këtë arsye, marka punëdhënëse e Bundeswehr do të ketë një qasje të re për përdorimin e TikTok nga fundi i majit, përmes një fushatë të krijuar posaçërisht”, sipas zëdhënëses. Është thelbësore që Bundeswehr-i të komunikojnë me sukses me rekrutët e rinj duke ofruar dhe shkëmbyer informacione dhe ide në mënyrë dixhitale. Pajisjet e dedikuara duhet të përdoren pa akses në strukturën e Teknologjisë Informatike – IT e Bundeswehr-it. Softueri i TikTok nuk është ende i autorizuar në IT-në zyrtare. Zëdhënësja tha se ushtarët janë të lirë të përdorin platformat e mediave sociale privatisht në pajisjet e tyre private, jashtë detyrës ose gjatë pushimeve, për sa kohë që respektohen rregullat në lidhje me mbrojtjen e sekretit zyrtar. Revista e lajmeve “Der Spiegel” raportoi se Ministria e Mbrojtjes është duke punuar në video të shkurtra reklamuese në të cilat Bundeswehr paraqitet si punëdhënës. Gjithashtu, Bundeswehr po vazhdon një fushatë të ngjashme në YouTube dhe Instagram. Qeveria gjermane lançoi kanalin e saj të parë TikTok @TeamBundeskanzler në fillim të prillit. Synimi është të tërheqë veçanërisht qytetarët e rinj, të cilët rrallë përdorin mediat tradicionale. “TikTok ka më shumë se 20 milionë përdorues gjermanë dhe është aplikacioni më i përdorur nga 14 deri në 25 vjeç”, sipas një sondazhi të kryer nga instituti i kërkimit të tregut Appinio në fund të vitit 2022. Qeveria gjermane fillimisht kishte përjashtuar mundësinë e bashkimit të kancelarit Olaf Scholz në rrjetin social të operuar nga një kompani kineze. Kritikët janë të shqetësuar se aplikacioni TikTok mund të keqpërdoret nga autoritetet kineze për të mbledhur informacione rreth përdoruesve ose për të ushtruar ndikim politik.