Një studim ndërkombëtar mbi komunikimin vokal të maceve ka hedhur dritë mbi arsyet pse këto kafshë vazhdojnë të bëjnë gërhitje edhe në moshë të rritur.

Studimi, i titulluar “Feline vocal communication”, është realizuar nga studiuesja Chloé Tavernier dhe një grup bashkëpunëtorësh nga disa universitete të njohura.

Kërkimi u krye nga ekspertë nga “Universiteti i Rennes 1”, në Francë, “Universiteti Kombëtar i Seulit”, në Korenë e Jugut dhe Kolegji i Mjekësisë Veterinare i Universitetit Cornell, në SHBA, duke e bërë atë një analizë të gjerë ndërkombëtare mbi sjelljen e maceve.

Studimi është botuar në revistën shkencore ndërkombëtare “Journal of Veterinary Science”.

Sipas autorëve, gërhitja është një formë komunikimi që shfaqet që në ditët e para të jetës tek kotelet, kryesisht në marrëdhënien me nënën.

Megjithatë, kjo sjellje nuk zhduket me rritjen, por vazhdon të përdoret nga macet e rritura në situata të ndryshme, përfshirë komunikimin me njerëzit.

Studiuesit theksojnë se gjatë procesit të zbutjes, macet që ishin më të komunikueshme dhe më të afta për të ndërvepruar me njerëzit kishin më shumë gjasa të mbijetonin dhe të shumoheshin.

Kjo ka ndikuar që macet shtëpiake të zhvillojnë një repertor më të pasur tingujsh krahasuar me të afërmit e tyre të egër si, “Felis silvestris” (macja e egër evropiane) dhe “Felis lybica” (macja e egër afrikane).

Studimi sugjeron se gërhitja nuk është vetëm një shenjë kënaqësie, por një mjet i rëndësishëm komunikimi që ka evoluar dhe është përshtatur gjatë mijëra viteve të bashkëjetesës së maceve me njerëzit.