Ministri theksoi se bajpasi i Elbasanit, i cili lidhet drejtpërdrejt me këtë aks, është parashikuar në buxhetin e vitit 2026 dhe shumë shpejt pritet të nisë procedura e prokurimit. Ky element konsiderohet kyç për funksionalitetin e plotë të rrugës.

Segmenti me gjatësi 9.9 kilometra është i ndarë në tre faza dhe nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, lidhet me bajpasin e Elbasanit dhe përfundon pranë kryqëzimit të Cërrikut, në afërsi të fshatit Valas.

Aktualisht, hapja e trasesë ka përfunduar në të tre fazat, ndërsa po vijon vendosja e trarëve në urat e segmentit. Punimet për mbrojtjen lumore janë drejt përfundimit, paralelisht me ndërtimin e veprave të vogla të artit dhe shtresave rrugore. Në muajt në vijim pritet të nisë edhe shtrimi i asfaltit.

Ky aks, i cili shtrihet përgjatë luginës së lumit Shkumbin, pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të lehtësojë lidhjen mes zonave përreth, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e transportit në një nga korridoret më të rëndësishme të vendit