Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), organizoi ekspozitën “Lule kundër luftës”, me punimet e Liudmyla Makei e cila është refugjate ukrainase në Kosovë. Ekspozita u hap në Ditën Botërore të Refugjatëve ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu solidaritetin ndaj të gjithë refugjatëve në botë, në veçanti atyre ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë. Osmani tha se Kosova do të avokojë gjithmonë për të drejtat e refugjatëve, pasi qytetarët kosovarë kanë qenë të tillë në vitin 1999. “Fati i popullit tim na bën të përjetojmë të qenit refugjat më 1999 kur ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje. Sikurse gati si të gjithë të tjerët në Kosovë edhe vet kam qenë refugjate, ndaj në këtë ditë nuk ka sesi mos të solidarizohem me të gjithë refugjatët anë e kënd botës, por në veçanti me ata që sot e kanë strehë Republikën tonë. Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë, pasi 24 vjet më parë neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës…Në Ditën Botërore të Refugjatëve ne duhet të bashkohemi për të nderuar qëndrueshmërinë, forcën dhe guximin e refugjatëve anë e kënd botës. Është një ditë për të njohur gjendje e vështirë të atyre që janë detyruar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, persekutimeve apo fatkeqësive. Refugjatët nuk janë thjesht numra, por janë individ me ëndrra, aspirata dhe potencial. Ata mishërojnë shpirtin e paepur të mbijetesës njerëzore dhe shpirtin e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Ekspozita e sotme nga Liudmyla është pikërisht një dëshmi e kësaj”, theksoi Osmani. atsh