Në ekspozitën e çelur në vazhdën e kremtimeve të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u prezantuan fotografi nga çaste pune të stafeve dhe ekipeve ndër vite të Institutit të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, por edhe imazhe të disa prej pasurive materiale – site, ura e kisha mesjetare. Një ekspozitë që shtrihet në mëse gjashtë dekada punë për mbrojtjen dhe konservimin e trashëgimisë kulturore të vendit. Një ekspozitë për ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë, e cilësoi drejtoresha e përgjithshme e IKTK-së, Klesta Qirici. Ekspozita erdhi si homazh për të shkuarën dhe frymëzim për të ardhmen, duke kujtuar rëndësinë e ruajtjes së thesareve kulturore. Në fjalën e saj, ministrja Margariti duke e cilësuar këtë ekspozitë si reflektim për të ardhmen tha se “kjo hapësirë ka shërbyer jo rrallë herë për të promovuar artistë që nuk gjejnë hapësira në galeri të mëdha. Ky rast shërbeu për të celebruar jo vetëm pasurinë dhe trashëgiminë kulturore, por edhe punën e IKTK”. Ministrja Margariti theksoi rëndësinë e specialistëve të fushës, ndërsa tha se tashmë trajnimet do të bëhen përmes Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim, pranë IKTK. “Misioni i kësaj qendre do të jetë formimi dhe përditësimi i njohurive të restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara, sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, si edhe hartimi dhe zbatimi i programeve të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale”, tha Margariti. Në këtë ekspozitë ishin edhe emra të njohur të fushës së trashëgimisë kulturore si profesorët Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Valter Shtylla e Zef Çuni. Profesorët Meksi e Thomo ndanë me të pranishmit histori nga puna e tyre në terren, kushtet e vështira me të cilët punohej dikur, pasionin me të cilin i kushtoheshin misionit të tyre, si edhe episode mes kolegësh.