Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIEficienca e energjisë, përcaktohen kriteret për rinovimin e ndërtesave publike

Eficienca e energjisë, përcaktohen kriteret për rinovimin e ndërtesave publike

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e sasisë në përqindje të sipërfaqes së stokut të ndërtesave publike për t’u rinovuar çdo vit, kundrejt sipërfaqes totale të stokut të ndërtesave publike.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, sektori publik ngarkohet me zbatimin e objektivit të ligjit “Për eficiencën e energjisë”, të ndryshuar.

Ky vendim shtrin efektet e tij për të gjitha ndërtesat në pronësi ose në përdorim nga organet e qeverisjes qendrore, organet e qeverisjes vendore dhe institucionet e varësisë.

Rinovimet që do të realizohen prej institucioneve, garantojnë të paktën zbatimin e kërkesave minimale të performancës së energjisë së ndërtesave.

Çdo rinovim realizohet duke u bazuar mbi rezultatet e auditimit të energjisë, i cili duhet të shoqërohet me një analizë të veçantë të kosto-përfitimit për çdo ndërtesë që kualifikohet.

Vendimi parashikon se ndërtesat me një performancë të ulët energjetike dhe që shfrytëzohen ose strehojnë fëmijë të sëmurë ose persona të moshuar, kanë përparësi në realizimin e rinovimit edhe kur nuk plotësohet kriteri i kostos optimale.

Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë do të përgatisë inventarin e të gjitha ndërtesave publike ku përcaktohet sipërfaqja që do të rinovohet çdo vit për ndërtesat e zëna nga organet e qeverisjes qendrore dhe ndërtesat e tjera publike.

Vendimi parashikon se ndërtesat që i janë nënshtruar një rinovimi mbi mbështjellësen e ndërtesës ose sistemet teknike, mund të përfshihen në inventarin e ndërtesave që do të rinovohen vetëm pas 10 vjetësh, prej datës së përfundimit të rinovimit.

Po ashtu, institucionet, të cilat kanë prona në përgjegjësi administrimi, parashikojnë buxhetin për vitin pasardhës, në përputhje me listën e miratuar të ndërtesave që kualifikohen për t’iu nënshtruar rinovimit.

Investimi realizohet vetëm nëse analiza e kosto-përfitimit rezulton pozitive, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me ndërtesa që shfrytëzohen nga të sëmurët, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe fëmijët nën 18 vjeç.

Përjashtohen nga lista e miratuar e ndërtesave, që do t’i nënshtrohen rinovimit, të gjitha ndërtesat publike të rinovuara ose të ndërtuara pas vitit 2023.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments