Sipas medieve, gjysmëmaratona e gjelbër, që përfshinte distancat 10 dhe 21 kilometra, ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në qytet, ku mbi 500 pjesëmarrës vrapuan në rrugët e qytetit, duke u bërë promotorë të bukurive të tij të mbrekullueshme. Pjesëmarrës nga vende të ndryshme sfiduan veten, duke promovuar jo vetëm sportin, por edhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe turizmit të qëndrueshëm në Berat, qytet i njohur për trashëgiminë e tij kulturore dhe bukurinë natyrore.
Në përfundim të gjysmëmaratonës u shpërndanë edhe çmimet respektive, për çdo kategori. Për kategorinë 21 kilometra për meshkuj, garuesi turk Üzeyir Soylemez arriti ta përfundonte garën i pari, me kohën 1:06:48, duke thyer edhe rekordin e vendosur vitin e kaluar, ndërsa pas tij u rendit sportisti Ivan Bubnov në vendin e dytë dhe Nesim Kerkouri në vendin e tretë.
Për femra, vendin e parë në 21 km e rrëmbeu sportisja e Tiranës, Redia Dauti, e cila ka marrë pjesë edhe në dy maratonat e para të zhvilluara në Berat. Kjo ishte medalja e parë e saj në Berat, pas dy vendeve të dyta në garat e kaluara. Pas saj, në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Jouline Eckl dhe Judit Varga.