Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, mbi 8472 individë dhe subjekte kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes kësaj platforme në vend.
Vlera totale e rezervimeve për këtë periudhë arriti mbi 3,8 miliardë lekë, ndërsa komisionet e përfituara nga platforma janë regjistruar në nivelin 167,5 milionë lekë.
Administrata Tatimore bën të ditur se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara nga përdorimi i platformës Airbnb.
Në këtë kuadër, ajo u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që kanë përfituar të ardhura nga dhënia e akomodimit, t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
DPT thekson se deklarimi korrekt i të ardhurave shmang kontrollet dhe penalitetet e mundshme, duke nxitur gjithashtu formalizimin e aktivitetit në këtë sektor.
“Administrata Tatimore disponon të dhëna mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes platformës Airbnb, ndaj fton individët dhe subjektet që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes kësaj platforme t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, për të shmangur kontrollet dhe penalitetet e mundshme”, deklaroi DPT.
Afati i fundit për dorëzimin e deklaratës DIVA është 31 mars 2026.





