Kujtesa e mirë nuk varet vetëm nga gjenetika, por edhe nga mënyra se si jetojmë dhe mësojmë, shkruan focus It.
Gjumi, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit, përqendrimi dhe mënyrat e organizimit të informacionit mund të ndikojnë ndjeshëm në aftësinë e trurit për të ruajtur dhe rikthyer kujtimet.
Ekspertët e psikologjisë dhe neuroshkencës theksojnë se kujtesa mund të stërvitet përmes disa teknikave të thjeshta dhe të zbatueshme në jetën e përditshme.
Një prej tyre është “chunking”, pra ndarja e informacionit në grupe më të vogla dhe me kuptim. Për shembull, një numër i gjatë është më i lehtë për t’u mbajtur mend kur ndahet në disa blloqe.
Koncepti u bë i njohur nga psikologu George Miller në vitin 1956, përmes studimit mbi kufijtë e kujtesës afatshkurtër.
Gjumi luan gjithashtu një rol thelbësor në konsolidimin e kujtesës. Gjatë pushimit, truri përpunon dhe stabilizon informacionin e marrë gjatë ditës, duke ndihmuar që ai të ruhet për një kohë më të gjatë.
Një tjetër strategji është shpërndarja e kohës së studimit, në vend të përpjekjes për të mësuar gjithçka në një seancë të gjatë.
Pushimet e shkurtra dhe të rregullta mund të ndihmojnë në përqendrim dhe në konsolidimin e informacionit, duke luftuar edhe atë që njihet si “kurba e harresës”.
Stresi dhe ankthi, ndërkohë, mund të mbingarkojnë kujtesën e punës, sistemin që na lejon të mbajmë përkohësisht informacionin aktiv.
Teknikat e relaksimit, frymëmarrja e kontrolluar dhe mindfulness mund të ndihmojnë në uljen e shpërqendrimit dhe përmirësimin e vëmendjes.
Edhe telefoni i mund të ndikojë në përqendrim.
Studime kanë sugjeruar se vetëm prania e një smartphone-i pranë nesh mund të konsumojë një pjesë të burimeve tona njohëse, ndaj gjatë studimit ose punës kërkon përqendrim më të madh kur pajisja lihet larg.
Një teknikë tjetër e fuqishme është “pallati i kujtesës”, ose metoda e vendeve (method of loci), e përdorur që në Greqinë e lashtë.
Ajo konsiston në lidhjen e informacionit me vende ose hapësira të njohura, duke shfrytëzuar kujtesën hapësinore për të rikujtuar më lehtë të dhënat





