Drejtuesit e kompanive të mëdha të BE-së kanë filluar të thonë atë që do të kishte qenë e paimagjinueshme një vit më parë – se importimi i një pjese të gazit rus – përfshirë nga gjiganti shtetëror rus “Gazprom” – mund të ishte një ide e mirë, sipas “Reuters”.
Kjo do të kërkonte një tjetër ndryshim të madh të politikës, duke pasur parasysh se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 bëri që Bashkimi Evropian të zotohej për t’i dhënë fund importeve ruse të energjisë deri në vitin 2027.
Evropa ka mundësi të kufizuara. Bisedimet me gjigantin LNG Katar për më shumë gaz janë bllokuar dhe ndërkohë që, shpërndarja e burimeve të rinovueshme është përshpejtuar, norma nuk është aq e shpejtë sa të lejojë BE-në të ndihet e sigurt.
“Nëse ka një paqe të arsyeshme në Ukrainë, ne mund të kthehemi në flukset prej 60 miliardë metra kub, ndoshta 70, në vit, duke përfshirë LNG”, tha Didier Holleaux, nënkryetar ekzekutiv në “Engie”, një kompani shumëkombëshe franceze e shërbimeve elektrike.
Shteti francez zotëron pjesërisht “Engie”, e cila dikur ishte ndër blerësit më të mëdhenj të gazit të “Gazprom”. “Holleaux” tha se Rusia mund të furnizojë rreth 20-25% të nevojave të BE-së, nga 40% para luftës.
Kreu i kompanive të mëdha franceze të naftës “TotalEnergies”, Patrick Pouyanne, ka paralajmëruar Evropën për rrezikun e mbështetjes së tepërt në gazin amerikan.
“Ne duhet të diversifikojmë, shumë rrugë, jo të mbështetemi në një ose dy”, tha Pouyanne.
“TotalEnergies” është një eksportues i madh i LNG-së amerikane dhe gjithashtu shet LNG ruse nga kompania private “Novatek”.
“Evropa nuk do të kthehet kurrë në importimin e 150 miliardë metra kub nga Rusia si para luftës … por unë do të vë bast ndoshta 70 miliardë metra kub”, shtoi Pouyanne.
FAKTORI TRUMP
Gazi amerikan mbuloi 16,7% të importeve të BE-së vitin e kaluar – pas Norvegjisë me 33, 6% dhe Rusisë me 18, 8%.
Pjesa e Rusisë do të bjerë nën 10% këtë vit pasi Ukraina mbylli tubacionet. Flukset e mbetura janë kryesisht LNG nga “Novatek”.
BE-ja po përgatitet të blejë më shumë LNG të SHBA-së pasi Trump dëshiron që Evropa të ulë suficitin e saj tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sigurisht, ne do të kemi nevojë për më shumë LNG,” tha komisioneri evropian i Tregtisë, Maros Sefcovic javën e kaluar.
“Lufta e tarifave ka rritur shqetësimin e Evropës rreth mbështetjes në gazin amerikan”, tha Tatiana Mitrova, një studiuese në Qendrën e Universitetit Kolumbia për Politikat Globale të Energjisë.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të konsiderohet LNG i SHBA-së si një mall neutral: në një moment ai mund të bëhet një mjet gjeopolitik”, shtoi Mitrova.
“Nëse lufta tregtare përshkallëzohet, ekziston një rrezik i vogël që SHBA-ja mund të frenojë eksportet e LNG-së”, tha Arne Lohmann Rasmussen, kryeanalist në Global Risk Management.
“Në rast se çmimet e gazit në SHBA rriten për shkak të rritjes së kërkesës industriale dhe të IA-së, SHBA-ja mund të kufizojë eksportet në të gjitha tregjet”, tha Warren Patterson, kreu i strategjisë së mallrave në ING.
Në vitin 2022, BE-ja i vendosi vetes një objektiv jodetyrues për t’i dhënë fund importeve të gazit rus deri në vitin 2027, por dy herë ka vonuar publikimin e planeve se si do të vepronte.