Sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, zyrtarët publikë janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë nga 1 deri më 31 mars çdo vit, për vitin paraprak.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se këtë vit 10 mijë e 372 zyrtarë publikë ishin të obliguar që ta deklaronin pasurinë. Brenda afatit, 10 mijë e 337 zyrtarë, e kanë përmbushur këtë obligim.

Për drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, deklarimi i pasurisë paraqet një nga shtyllat kryesore të transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.

“Shkalla e lartë e përmbushjes së këtij obligimi tregon rritje të vetëdijes institucionale, por çdo rast i mosdeklarimit apo vonesës do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në përputhje me ligjin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se deklarimi i pasurisë është mjet drejt parandalimit e luftimit të korrupsionit, por që deri më tani nuk është shfrytëzuar si i tillë.

“Fatkeqësi, nga ajo çka kemi parë deri më tani, është se deklarimi i pasurisë më tepër është përdorur si qëllim përfundimtar, në kuptimin që në momentin e deklarimit të pasurisë ka përfunduar çdo gjë, sesa si mjet përmes së cilit kalojmë te aspektet e tjera: te hetimi apo zbulimi i veprave të tjera penale”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, sipas organizatës Transparency International, Kosova ka bërë një hap prapa në luftën kundër korrupsionit.

Buleshkaj thotë se procesi nuk përfundon vetëm e deklarimin e pasurisë dhe publikimin e tyre në ueb-faqen e Agjencisë, pasi pasuria e deklaruar më pas i nënshtrohet verifikimit.

“Verifikimi i deklarimeve kryhet përmes një procesi të strukturuar që përfshin: kontrolle administrative dhe logjike të deklarimeve, krahasimin e të dhënave me institucione të tjera publike [si administrata tatimore, kadastra, bankat, etj.]”, thotë ai.

Procesi i verifikimit pritet të nisë në qershor dhe, sipas Buleshkajt, mund të zgjasë deri në shtatë muaj, varësisht nga natyra e rasteve.

Përmes verifikimit, Buleshkaj thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit synon të “forcojë besimin publik dhe të garantojë integritet në ushtrimin e funksioneve publike”.

Shala nga IKD konsideron se masat sanksionuese, në rastin konkret gjobitja e zyrtarëve, e ul numrin e inkriminimit të tyre, në rastet e mosdeklarimit të pasurisë brenda afatit të përcaktuar kohor.

“Mirëpo, mund të shërbejë edhe si një aspekt tjetër, se zyrtarët në fjalë nisur nga fakti se i është shqiptuar gjoba, e kanë ditur se e kanë për obligim deklarimin e pasurisë dhe kjo e përforcon elementin e dashjes për mosdeklarimin e pasurisë dhe mbetet të shihet se si do të veprohet tutje nga ana e prokurori të shtetit”, shprehet ai.