Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREDhjetëra mijëra palestinezë largohen nga zonat e luftës

Dhjetëra mijëra palestinezë largohen nga zonat e luftës

Dhjetëra mijëra palestinezë janë larguar nga zonat e luftimit të pjesëve veriore të rrethuara të Rripit të Gazës, pasi Izraeli hapi dje një korridor të përkohshëm evakuimi. ”Rreth 50 000 persona e përdorën kalimin duke iu bashkuar 900 000 të tjerëve që janë arratisur në jug javët e fundit”, tha agjencia e Ministrisë së Mbrojtjes izraelite që është përgjegjëse për çështjet palestineze. Një zëdhënëse e Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) nuk ishte në gjendje të jepte një shifër, por konfirmoi se numri ishte rritur vazhdimisht gjatë tre ditëve të fundit. “Gjithashtu nesër, ne do të vazhdojmë t’i lejojmë civilët në Gaza të lëvizin në jug nga kontrolli i Hamasit në veri”, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari. Operacionet tokësore izraelite janë zhvendosur më thellë në qytetin e Gazës – qendra më e madhe dhe më e dendur e popullatës në territorin palestinez – duke nxitur një eksod të ri nga veriu. Territori është shtëpia e më shumë se 2,2 milionë banorëve. Ushtria izraelite tha të martën se trupat kishin arritur thellësitë e qytetit të Gazës, i cili është bastioni kryesor i grupit militant Hamas. Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë izraelitë thonë se synojnë të zhdukin Hamasin nga Rripi i Gazës. ”Numri i palestinezëve të vrarë atje që nga fillimi i luftës është 10 569”, tha Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. ”Midis të vdekurve janë 4 324 fëmijë dhe të rinj”, tha ministria. Rreth 2 550 persona janë raportuar të zhdukur. Shifrat, të cilat rriten çdo ditë, nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ushtria izraelite u kishte dhënë civilëve një mundësi prej rreth pesë orësh për të ikur të sigurt në jug. Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë kundërshtoi se nuk kishte vend të sigurt në të gjithë Rripin e Gazës. Ai akuzoi Izraelin se po ashtu ka kryer masakra në jug. Izraeli akuzon Hamasin për përdorimin e qëllimshëm të civilëve palestinezë si “mburoja njerëzore”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments