Dardha me ngjyrat e vjeshtës

0
4

Fshati Dardhë ndodhet në lartësinë e 1344 metrave dhe 20 kilometra në juglindje të Korçës. Ai është tashmë një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri me një potencial zhvillimi turistik gjithnjë e në rritje. Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike të mbuluara me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit. Në këtë mesvjeshte rruga tashmë e rikonstruktuar, që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor, të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk. Ndërsa investimet e reja turistike, siç është krijimi i resortit të skive, në zonën e Nikolicës, e kanë kthyer Dardhën në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.