Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “janë 1 milionë e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kWh energji dhe 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kWh”. I pyetur nga qytetarët në një komunikim online në lidhje me situatën e energjisë në vend dhe lajmeve në media se 800 kwh është mesatarja vjetore e konsumit, Rama u shpreh se ai i referohet të vërtetave dhe fakteve. “Nuk dua të bëj polemika me medien. Media për këtë është krijuar që të thotë. Tani gjithmonë e më shumë është një sfidë se çfarë zgjedhim të dëgjojmë, në një terren ku të pavërtetat, gjysmë të vërtetat, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, fantazitë, shpifjet, sajesat janë gjithmonë e më të pranishme. Dhe në një vend si i yni që fatkeqësisht më informonin dje zë vendin e parë në Evropë për gjuhën e urrejtjes në medie, ose më saktë në komunikimin publik se këtu nuk përjashtoj as politikën. Dhe gjuha e urrejtjes kërkon shumë furnizim dhe furnizimi kryesor i gjuhës së urrejtjes është gënjeshtra, është shpifja, janë akuzat e montuara, janë fabrikimet, është turravrapi për të asgjësuar karakteret, në pamundësi të asgjësimit të vetë personave, sepse nuk jemi në një diktaturë, ose nuk jemi në një situatë lufte civile me armë, por jemi në një situatë lufte civile me gojë dhe kjo është shumë shumë e rëndë”, tha ai. Megjithatë, shtoi Rama, “unë nuk kam asnjë rrugë tjetër përveç se nga një anë të bëjë përpjekjen time me aq sa mundem që të mos kontribuoj fare në këtë tymnajë të madhe dhe nga ana tjetër t’i referohem të vërtetave që vijnë nga faktet dhe nga shifrat”. “Janë 1 milionë e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kWh dhe 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kWh. Dhe në periudhën e pikut kur është shumë nxehtë, ose kur është shumë ftohtë, ky 40 mijë shkon në afro 60 mijë, 58 mijë e diçka. Tani vendoseni në shkallë 60 mijë me 1 milionë e 90 mijë. Dhe del besoj rezultati”, tha Rama. “Kjo është shumë e thjesht për njerëzit, nuk ka nevojë që të mbeten peng i atyre që dëgjojnë. Të marrin faturën e tyre të energjisë e ka secili në shtëpinë e vetë, ta shikojnë sa konsumojnë”, u shpreh Rama. “Vijmë tani tek 800 kWh +. Kjo është vendosur me një logjikë duke marrë parasysh që deri në 800 kWh mund të plotësohen të gjithë nevojat për konsumin shtëpiak. Nevojat bazë në kushtet kur s’ka kufizim energjie, mos harrojmë këtë fakt. Ne kemi vendosur 2 gjëra, të cilat koha do ta tregojë nëse janë ambicie e madhe apo kurajo e madhe, apo nëse janë një çmenduri, të cilën në fund mund dhe ta paguajmë shumë shtrenjtë. Por kemi preferuar të zgjedhim këtë rrugë. E para të mbrojmë çmimin nga rritja, për konsumatorët familjarë dhe për biznesin e vogël dhe e dyta të mos kufizojmë energjinë elektrike. Mos të ketë kufizim”, theksoi Rama. Ama, nënvizoi kryeministri, “për një pjesë të familjeve, të cilat konsumojnë më shumë se 800 kWh, sepse kanë më shumë se sa një palë elektro-shtëpiake, sepse kanë më shumë se sa një shtëpi të zakonshme, sepse kanë më shumë se sa për të ngrohur mjedisin ku rrinë, apo për të ndriçuar dhomat ku jetojnë, ne nuk mendojmë që duhet të paguajnë 1 milionë e 90 mijë të tjerë”. “Ne mendojmë që këta, këto subjekte duhet të paguajnë vetë diferencën. Dhe diferenca mbi 800-shin do të jetë për çdo kWh me një tjetër çmim. Ndërkohë që deri në 800 kWh të gjithë do ta kenë njësoj, edhe këta, që mbase kanë mundësi të paguajnë më shumë. Por 800 kWh është njësoj për të gjithë. Kush shkon mbi 800 kWh do të duhet të paguajë me një çmim tjetër. Dhe ajo që duhet theksuar është që ky çmim tjetër është vendosur nga 1 tetori deri në dhjetor. Pra nuk është një çmim përgjithmonë. Është nga 1 tetori deri në dhjetor. Pastaj në bazë të gjithë bilancit energjetik të vendit, në bazë të situatës hidrike të vendit në bazë të gjithë rezultateve që do kemi, ne do të rishikojmë nëse do ta mbajmë ose do ta lëvizim”. Rama gjithashtu theksoi se, “sot Gjermania, vendi më i zhvilluar, vendi më i pasur i Evropës, po bën gjëra, të cilat në Shqipëri nëse ne do t’i artikulonim unë nuk e di se me çfarë do përballeshim nga pikëpamja e gjithë dallgëve që sjell oqeani i akuzave, i përqeshjeve, i skërmitjeve, i të pavërtetave, i shpifjeve, i thashethemeve, i fabrikimeve, i gjithçkaje”. “Nuk e di me çfarë do të përballeshim nëse do të vendosnim rregullin me ligj që ka vendosur Zvicra 3 vjet burg për kë e rrit shpenzimin energjetik për ngrohje mbi 19 gradë. Burg në Zvicër, një vend që nga pikëpamja e të ardhurave, nga pikëpamja financiare është në majë të botës. Pra, jetojmë në një kohë tejet të vështirë dhe ne po bëjmë diçka që të tjerët nuk e kanë bërë dhe nuk po e bëjnë. E ka vendosur Kosova këtë përpara nesh 800 kWh. Dhe një nga rezultatet që është fakt në Kosovë dhe ne presim është kursimi. Vetëm kështu këto familje do të fillojnë të kursejnë, se janë 4% e të tërës, pra 40 mijë në 1 milion e 90 mijë dhe shpenzojnë afro 29 % të të tërës. Kështu që ulja e shpenzimit të tyre energjetik do të sjellë që ne të kemi më shumë energji, të kursejmë energji”, tha Rama.https://ata.gov.al/2022/09/17/rama-cmimi-i-energjise-per-fashen-mbi-800-kwh-deri-ne-dhjetor/
Çmimi i energjisë për fashën mbi 800 kWh deri në dhjetor
RELATED ARTICLES