Mbrëmjen e djeshme Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2022. Fituesit u shpallën mes mijëra titujsh, por në fazën finale pati pesë kandidatura për çdo kategori, që u përzgjodhën nga juria e kryesuar nga kryetari Mehmet Kraja. Juria vendosi që çmimin “Romani më i mirë i vitit” ta fitonte Stefan Çapaliku me romanin e tij “Një engjëll veshë me frak”. Përkthimin më të mirë këtë vit e fitoi përkthyesja Mira Meksi, e cila ka sjellë në shqip kryeveprën e Gabriel Garcia Marquez “Vjeshta e Patriarkut”. Çmimi “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” shkoi për Olimbi Velaj për librin “Lumturia e të tjerëve”. Me çmimin “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” u vlerësua Behar Jacaj për librin “Hoteli përbri kishës”. Çmimi “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit” shkoi për Xhevat Lloshin me librin “Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip” dhe çmimi “Libri për fëmijë më i mirë i vitit” ju dha Edi Gogut për librin “Tezja dhe shkopinjtë magjikë”.