Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka ulur siparin me ndarjen e çmimeve filmave që spikatën. Gjatë 5 ditëve, ky festival i solli më shumë gjallëri qytetit të Pogradecit, i cili tashmë ka një frekuentim më të gjerë nga vendas por edhe turistë të huaj. Ky ishte edicioni i 13-të për Balkan Film & Food Festival. Çmimi “Best Movie Award” shkoi për filmin “Dignity”, i regjisorit grek Dimistris Katsimiris. Marko Santic nga Kroacia fitoi “Best Balkan Spirit Award” me filmin “Marko”, ndërsa regjisori shqiptar Edmond Mandro ka rrëmbyer çmimin “Best Short Movie Award” me filmin e tij “Kllouni”. Në natën e ndarjes së cmimeve, një moment special iu kushtua regjizorit të nderuar Kristaq Mitro dhe pasurisë kinematografike që ai la pas. Edicioni i vitit 2023 solli pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit rreth 80 filma. Në program kishte filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit. Veprat filmike përfaqësuan Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi.