Facebook njoftoi dje se do të punësojë 10 000 persona në Evropë për të zhvilluar të ashtuquajturin “metaverse”, konsideruar ndryshe si e ardhmja e internetit, sipas BBC. Çfarë është saktësisht metaverse? Për një të huaj, mund të duket si një version i manipuluar i Realitetit Virtual (VR), por disa njerëz mendojnë se metaverse mund të jetë e ardhmja e internetit. Në fakt, besohet se metaverse do të jetë për realitetin virtual ajo që përfaqëson aktualisht smartfoni për celularët e parë të çuditshëm të viteve ’80. Në vend që të jeni në një kompjuter, në metaverse mund të përdorni një kufje për të hyrë në një botë virtuale që lidh të gjitha llojet e mjediseve digjitale. Ndryshe nga realiteti virtual aktual, i cili përdoret kryesisht për lojëra, kjo botë virtuale mund të përdoret për pothuajse çdo gjë, për punë, lojë, koncerte, udhëtime në kinema, ose thjesht edhe për të dalë jashtë shtëpisë. Shumica e njerëzve imagjinojnë se do të kishit një avatar 3D, një përfaqësim i vetes suaj, ndërsa e përdorni atë. Por, meqenëse është ende vetëm një ide, nuk ka një përkufizim të vetëm për metaversen. Sidoqoftë, ekziston një entuziazëm i jashtëzakonshëm për metaverse midis investitorëve të pasur dhe kompanive të mëdha të teknologjisë dhe askush nuk dëshiron të lihet pas nëse rezulton të jetë e ardhmja e internetit.