Bulevardi “Epidamn” në qytetin e Durrësit do të shndërrohet në një zonë të dedikuar vetëm për këmbësorët gjatë mbrëmjeve të sezonit veror, në kuadër të masave të ndërmarra nga Bashkia e Durrësit për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve dhe turistëve.
Bashkia Durrës bën të ditur se masa do të jetë në fuqi nga 1 korriku deri më 31 gusht 2026, çdo mbrëmje, në intervalin 19:00–23:00, periudhë gjatë së cilës bulevardi do të jetë i lirë nga qarkullimi i automjeteve.
Për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit, do të zbatohen ndryshime të përkohshme në lëvizjen e mjeteve. Rrugët “Karl Topia” dhe “Gjergji Komnino” do të funksionojnë me një sens lëvizjeje në drejtim të Vilës së Zogut, ndërsa rrugët “Telha Çela” dhe “11 Dëshmorët e Stanit” do të kenë një sens lëvizjeje zbritës në drejtim të Mauzoleumit të Dëshmorëve.
Po ashtu, gjatë orarit 19:00–23:00 do të ndalohet parkimi i automjeteve në rrugën “Anastas Durrsaku”, në segmentin nga Kisha Ortodokse deri te Shkolla “Gjergj Kastrioti”, si dhe në rrugët “Karl Topia”, “Gjergji Komnino” dhe “Hysen Matlija”.





