Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH:Inflacioni në rënie

BSH:Inflacioni në rënie

Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor 2022, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare. Në raportin e Politikës Monetare që prezantoi sot BSH-ja, theksohet se, “tendenca në rënie e inflacionit pritet të vazhdojë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona se, inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024”. Gjithashtu, vëren BSH, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të mirë ndaj goditjeve të huaja të ofertës dhe shtrëngimit të kushteve monetare, në vend dhe në botë. Ndërkohë, e nxitur nga dinamizmi i sektorit privat, rritja ekonomike e vitit 2022 pritet të jetë rreth nivelit 4% dhe të ketë një shpërndarje të mirë sektoriale. Po ashtu, punësimi dhe pagat kanë pasur rritje të shpejta, ndërkohë që norma e papunësisë është në nivele minimale historike. Ndonëse norma e rritjes pritet të shënojë një rënie të lehtë, ekonomia shqiptare do të vijojë të gjenerojë vende të reja pune dhe norma pozitive rritjeje gjatë vitit 2023. Sipas BSH-së, edhe deficiti buxhetor ka shënuar rënie, ndërsa leku është forcuar në kursin e këmbimit valutor. Gjatë vitit të kaluar, deficiti buxhetor i qeverisë shqiptare është vlerësuar në nivele më të ulëta se parashikimet. Në këtë mënyrë, ruajtja e një pozicioni më konsolidues të politikës fiskale, sipas Bankës së Shqipërisë, ka krijuar hapësira për ta ngadalësuar disi lëvizjen në kah shtrëngues edhe të politikës monetare. “Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë ndikuar në uljen e inflacionit përtej pritshmërive të Bankës Qendrore ka qenë zhvillimet pozitive në sektorin energjetik. Prurjet e favorshme të lumenjve pas muajit nëntor kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe kanë ulur nevojën për import. Ky zhvillim ka qenë përcaktues edhe në mosaplikimin e tarifimit të diferencuar me fasha konsumi, siç kishte vendosur paraprakisht qeveria shqiptare”, thekson BSH-ja. atsh

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments