Banka e Shqipërisë publikoi raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti, ku evidenton se ekonomia shqiptare po performon pozitivisht përtej pritshmërive fillestare. “PBB-ja shënoi një rritje prej 4.7 % në tremujorin e katërt të vitit 2022, duke mbetur relativisht e qëndrueshme me ritmet e regjistruara në tremujorin paraardhës. Rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës dhe rritja e vazhduar e kredisë”, thekson BSH-ja. Sipas BSH-së, një prej zhvillimeve më pozitive është rënia e qëndrueshme e inflacionit. “Inflacioni vjetor shënoi një nivel mesatar prej 6.5 % në tremujorin e parë, duke ardhur në rënie nga mesatarja prej 7.9 % e regjistruar në tremujorin paraardhës. Kjo rënie ishte veçanërisht e shpejtë në muajin mars, kur inflacioni shënoi nivelin 5.3 %. Në këndvështrimin e shportës së konsumit, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, e kryesisht të naftës”, nënvizon BSH-ja. Raporti i Bankës Qendrore evidenton ecuri mjaft pozitive edhe në treguesit e tjerë, si konsumi apo eksportet, që po vijojnë tendencën e rritjes. atsh
BSH: Rritja ekonomike, 4.7% në 3 muajt e fundit të 2022
RELATED ARTICLES