Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 3 %. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll”. Sipas tij, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve në vazhdim, edhe pse do të ketë një ngadalësim të lehtë si pasojë e ngadalësimit ekonomik në eurozonë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit, si në vend dhe në botë. “Rritja ekonomike pritet të kthehet pranë nivele të saj historike në horizontin afatmesëm. Gjithashtu inflacioni pritet vijojë të bjerë gradualisht gjatë tremujorëve të ardhshëm në pasqyrim të rënies së presioneve të huaja, të forcimit të kursit të këmbimit dhe të reduktimit të pritjeve për inflacionin. Paralelisht me të, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në zgjerim”, tha Sejko. Sipas tij, të dhënat e disponuara sugjerojnë se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare. Gjithashtu bazuar në trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të tyre, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. “Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00 %; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00 %”, u shpreh Sejko. Sejko garantoi se, në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar. atsh
BSH: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 3%
RELATED ARTICLES