Njëmbëdhjetë bankat tregtare në vend pritet të lehtësojnë kriteret për kreditimin e bizneseve dhe individëve, në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas vrojtimit për aktivitetin kreditues të Bankës së Shqipërisë, bankat pritet të lehtësojnë standardet e kreditimit për blerjen, ndërtimin ose rikonstruksionin e një pasurie të paluajtshme rezidenciale, që mund të jetë shtëpi, godinë, apartament ose truall mbi të cilin do ndërtohet godina e banimit.

Ndërkohë referuar të dhënave të vrojtimit për kreditimin, standardet e kreditimit për bizneset mbetën thuajse të pandryshuara në tremujorin e parë të vitit 2025. Ato u raportuan të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh, në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. Në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm standardet u lehtësuan.

“Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e parë të vitit 2025. Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë”, thuhet në raportin e BSH.

Ndërkohë, standardet e kreditimit për individët u raportuan thuajse të pandryshuara në tremujorin e parë të vitit 2025, si në kreditë konsumatore ashtu edhe në ato për blerjen e banesave.

Kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2025, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit.

BSH-ja thekson se, “kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor”.

Gjithashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave (që mund t’i referohet pritshmërisë për një rritje më të lartë të çmimeve të banesave në të ardhmen), sollën kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë.