Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni (çmimet e mallrave) të kthehet gradualisht pranë objektivit 3% gjatë vitit 2025.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, e argumentoi këtë fakt me një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, si dhe për rënie të mëtejshme të inflacionit në partnerët tregtarë.
Sejko bëri të ditur se, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të lehtë në dy muajt e parë të vitit 2025, duke qëndruar në nivelin mesatar prej 1,9%. Rënia e inflacionit u diktua nga ecuria e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara dhe ulja e çmimit të energjisë për konsum familjar. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të artikujve të tjerë të shportës së konsumit ishte relativisht i qëndrueshëm.
Sipas tij, paralelisht me inflacionin në objektiv, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në afatin e mesëm.
Sejko tha se, balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet për momentin neutrale.
Megjithatë, vijoi ai, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave dhe tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion.