Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 1,1 pikë në muajin mars 2025, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, niveli i TNE aktualisht qëndron 8.1 pikë mbi mesataren historike.
Në rritjen e tij ndikuan përmirësimi i besimit konsumator dhe i besimit të bizneseve në të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të tregtisë.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1.4 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi në muajin mars u përcaktua nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse të bizneseve nga eksportet, si dhe vlerësimi më optimist për prodhimin industrial aktual. Bizneset vlerësojnë në rënie të lehtë gjendjen e inventarëve, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen kanë shënuar rritje të lehtë krahasuar me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 1.6 pikë përqindje dhe niveli i tij vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike. Ecuria e këtij muaji u përcaktua nga rritja e vlerësimeve të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues. Gjithashtu, bizneset u shprehën optimiste për punësimin në të ardhmen, ndërsa pritjet për çmimet u rishikuan lehtë për poshtë.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 1.2 pikë përqindje dhe qëndron rreth 13 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares historike. Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Po ashtu, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur.
Treguesi i besimit në tregti u ul me 2.1 pikë përqindje në muajin mars. Megjithatë, niveli i tij vijon të qëndrojë rreth 5 pikë përqindje mbi mesataren historike këtë muaj. Në këtë ecuri ndikuan vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit, si dhe pritjet në rënie për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar në rënie.
Treguesi i besimit konsumator u rrit me 2.3 pikë përqindje për të dytin muaj rresht, duke e çuar nivelin e këtij treguesi përsëri mbi mesataren historike me 3.5 pikë përqindje. Rritja këtë muaj ka reflektuar si pritjet më optimiste për situatën e përgjithshme të ekonomisë dhe për gjendjen e tyre financiare në të ardhmen ashtu edhe situatën e përmirësuar të blerjeve në shuma të mëdha.