Bankat tregtare nuk ndryshuan politikat e kreditimit për bizneset në tremujorin e katërt të vitit 2024, të reflektuara në standarde, kushte dhe terma kreditimi të ngjashme me një tremujor më parë.

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e Vrojtimit mbi kreditimin, ku theksoi se, “kërkesa për kredi e bizneseve në linjë me pritjet e një tremujori më parë, u raportua më e lartë”.

Të gjithë segmentet e madhësisë së biznesit shfaqën kërkesë të lartë për kredi, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet. Ndërsa bankat tregtare rritën shkallën e kreditimit në 3-mujorin e katërt 2024.

Sa i takon kreditimit të individëve, bankat lehtësuan standardet e kreditimit në kreditë konsumatore.

Ndërkohë që një bankë e vetme e sistemit shtrëngoi kushtet e termat e kreditimit në kreditë disbursuar individëve në tremujorin e katërt të vitit.

BSH evidenton se, kërkesa për kredi e individëve ishte e lartë në tremujorin e katërt, si për financimin e konsumit ashtu edhe në blerjen e banesave.