Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se, po shqyrtohet vendimi për pezullimin e punës së Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve. Në një intervistë në medie, Ibrahimaj u shpreh se, duke qenë në një situatë ku çmimet kanë krijuar një stabilitet, pra nuk kanë luhatje të mëdha, jemi në proces të vendimmarrjes për pezullimin e aktivitetit. “Arsyeja pse bordi u ngrit ishte limitimi i fitimit për të pasur një çmim sa më të ulët për konsumatorët. Dhe nga analiza 12 mujore e fitimit nga kompanitë e tregtimit të karburanteve do të duket se marzhet e fitimit të vendosura në aktin normativ, janë ndjeshëm më të ulëta se ato që kompanitë aplikonin në një periudhë të liberalizuar të çmimeve. Mendoj se kjo periudhë ka shërbyer edhe që operatorët e tregut të kenë një lloj disiplinimi që do të vijojë edhe në vazhdim”, tha Ibrahimaj. Ministrja vuri në dukje se, do të vijojë mbikëqyrja e çmimeve me qëllim eliminimin e spekulimeve. Sa i takon taksës së jashtëzakonshme për kompanitë e prodhimit të energjisë, Ibrahimaj bëri të ditur se, kësti i parë do të mblidhet brenda 31 marsit të këtij viti dhe se po hartohen disa skenarë se si do të rishpërndahen këto të ardhura për të ulur sa më shumë impaktin e krizës.ATA