Këshilli i Ministrave shpalli sot peizazh të mbrojtur të kategorisë V, Bjeshkët e Oroshit, me sipërfaqe 4 650.5 ha.
Forma e administrimit të territorit të peizazhit të mbrojtur “Bjeshkët e Oroshit” është e kombinuar, shtetërore, bashkiake dhe private.
Për vijueshmërinë e veprimtarive, që zhvillohen brenda territorit të peizazhit të mbrojtur “Bjeshkët e Oroshit”, me kontrata zhvillimi të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij vendimi e të pajisura me leje mjedisore dhe vendim të KKTU-së zbatohen parashikimet e ligjit “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar.
Oroshi, pjesë e rrethit të Mirditës, është listuar në 100 fshatrat me prioritet zhvillimin e tij dhe të turizmit gjithëvjetor në atë zonë. Ai ndodhet në lindje të qytetit të Rrëshenit.
Është një zonë malore mjaft atraktive me shumë mundësi për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor.
Në Orosh gjendet dhe një shpellë tepër e veçantë, “Shpella e Pashës” në Bjeshkët e Oroshit. Janë bërë disa punime për ta bërë të aksesueshme për vizitorët.