Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë. Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive. “Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit. Ai i bëri këto deklarata pas një takimi trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky rund i ri i bisedimeve ishte vazhdim i përpjekjeve që palët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i refuzoi të gjitha”. “Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq. Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe. Lajçak ka paraqitur para palëve një propozim, që në BE thonë se është “praktik dhe ofron një zgjidhje të përkohshme kalimtare”, por për propozimin nuk janë dhënë detaje. Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave. Ai tha se “95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale”, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia. Serbia ka d qëllime, e para ti legjitimojë strukturat paralele ilegale, sipas tyre zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem ilegal paralel, në një sistem legal paralele. Dhe në anën tjetër, sipas tyre zgjidhja është në një sistem që e siguron edhe më tej mungesën e plotë transparencës, e cila ka qenë njëra nga qëllimet e bankës qendrore. Ky ishte takimi i shtatë mes kryenegociatorëve në muajt e fundit për këtë çështje, pasi në gjashtë takimet paraprake ata nuk arritën pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi. Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se priste që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike. Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, priste që palët të dëshmonin gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së.
