Presidenti amerikan, Joe Biden falënderoi kancelarin gjerman Olaf Scholz për përgjigjen e tij ndaj luftës në Ukrainë duke thënë se mbështetja e Berlinit për Kievin ka qenë “e madhe”. “Dua t’ju falënderoj të gjithëve për udhëheqjen tuaj të fortë dhe të qëndrueshme. Unë e them këtë sinqerisht. Ka bërë një botë ndryshe”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë. ”Përtej mbështetjes suaj ushtarake, mbështetja morale që u dhatë ukrainasve ka qenë e madhe”, tha Biden. Biden e quajti vendime “historike” rritjen e njoftuar nga Scholz për shpenzimet e mbrojtjes dhe vendimin për t’u larguar nga karburantet fosile ruse. Në fillim të takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz siguroi Ukrainën për mbështetjen e vazhdueshme në luftën kundër Rusisë. ”Mbështetja e përbashkët për Ukrainën gjatë vitit të kaluar ka qenë e madhe”, tha Scholz në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi të shkurtër me median në fillim të bisedimeve. “Është vërtet e rëndësishme që kemi vepruar së bashku”, tha ai. “Në këtë kohë mendoj se është shumë e rëndësishme që të japim mesazhin se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të duhet”, theksoi ai. Kjo është vizita e dytë e kancelarit në Shtëpinë e Bardhë që kur ai mori detyrën gati 15 muaj më parë. atsh