Shkodra njihet në Shqipëri e më gjerë për përdorimin e biçikletave si një mënyrë e shëndetshme jetese. Gjatë kësaj jave në Shkodër po zhvillohet Java Evropiane e Lëvizjes/Mobilitetit, gjatë të cilës po zhvillohen disa veprimtari edukuese, sportive e ndërgjegjësuese. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci në një postim në rrjetet sociale tha se po punohet për të krijuar hapësirat e nevojshme për përdoruesit e tyre. “Ky është vetëm fillimi. Binomi i Shkodrës me biçikletën do të jetë edhe më i fortë e më i mirëmenduar në çdo hap të zhvillimit të bashkisë sonë që do të ndërmarrim”, tha Beci. Tradicionalisht në çdo shtëpi shkodrane biçikleta ka një vend të rëndësishëm, ndërsa çdo ditë e më shumë po krijohen hapësirat e dedikuara në qytet. Prej muajit maj 2023 janë realizuar 1500 metrat e para të korsive të biçikletave dhe po vijon instalimi i trafikndarësve për korsitë e biçikletave për afro 3 000 metra të tjera. Në Shkodër biçikleta vazhdon të jetë një mjet lëvizjeje i preferuar dhe mjaft i përdorur nga qytetarët.