Komisioni Evropian njoftoi një strategji të re që synon forcimin e gatishmërisë ndaj krizave në të gjithë Bashkimin Evropian, duke përfshirë planet për të futur mësime në shkolla se si të përgjigjen ndaj emergjencave.
Sipas propozimit, nxënësit në të gjithë BE-në do të mësojnë se si t’i përgjigjen krizave të tilla si, fatkeqësitë natyrore dhe sulmet kibernetike.
Komisioni propozoi gjithashtu shtimin e mësimeve të “gatishmërisë” në kurrikulat shkollore, duke pajisur nxënësit me aftësi për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin e informacionit.
Nisma është pjesë e një strategjie më të gjerë të paraqitur në Bruksel, e cila ende kërkon miratimin nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian.
Sipas komisionit, Evropa përballet me kërcënime gjithnjë e më komplekse.
“Nga rritja e tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike, kërcënimet hibride dhe të sigurisë kibernetike, manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj, tek ndryshimet klimatike dhe katastrofat natyrore në rritje, BE-ja duhet të jetë e gatshme të mbrojë qytetarët e saj”, tha komisioni në një deklaratë.
Për të adresuar këto sfida, BE-ja ka përshkruar 30 “veprime kyçe” dhe një “Plan Veprimi” të detajuar që synon përmirësimin e reagimit ndaj krizës.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, komisioni propozon prezantimin e një strategjie të re vjetore “Dita e gatishmërisë për BE-në” dhe nxit qytetarët të sigurojnë furnizimet emergjente për të paktën 72 orë në rast krize.
Për më tepër, komisioni synon të krijojë një qendër krize të BE-së për të përmirësuar integrimin midis strukturave ekzistuese të krizës në BE dhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët e jashtëm si NATO.
“Realitetet e reja kërkojnë një nivel të ri gatishmërie në Evropë”, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
“Qytetarët tanë, shtetet tona anëtare dhe bizneset tona kanë nevojë për mjetet e duhura për të vepruar si për të parandaluar krizat ashtu edhe për të reaguar me shpejtësi në rast fatkeqësie”, shtoi Von der Leyen.
Komisionerja e BE-së për Krizat, Hadja Lahbib tha se janë 450 milionë qytetarë dhe 450 milionë arsye për të qenë më të përgatitur.