Vendet e Bashkimit Evropian i dhanë status mbrojtjeje 361 325 azilkërkuesve gjatë vitit 2025, një rënie prej 18% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara sot nga” Eurostat”.

Sipas shifrave, Gjermania dha status mbrojtjeje për numrin më të madh të personave (103 360), duke përbërë 29% të të gjitha vendimeve pozitive në Bashkimin Evropian.

Pas saj renditet Spanja me 76 210 dhe Franca me 72 930.

Së bashku, këto tre vende përbënin 70% të të gjitha vendimeve pozitive në BE.

Përfituesit më të shumtë të statusit të mbrojtjes ishin shtetasit nga Afganistani, që përbënin 27% të totalit, të ndjekur nga Venezuela (16%), si dhe nga Siria dhe Ukraina (nga 5% secila).

Nga aplikimet e miratuara për azil, 51% morën status refugjati sipas Konventës së Gjenevës, 25% mbrojtje humanitare sipas ligjit kombëtar dhe 24% mbrojtje plotësuese.

Numri i personave që përfituan mbrojtje plotësuese – e cila zakonisht u jepet personave që vijnë nga zona aktive konflikti,  ra ndjeshëm, me 50% më pak krahasuar me vitin 2024.

Ndërkohë, numri i aplikimeve për azil ra me pothuajse 20% në vitin 2025.

Sipas Komisionit Evropian, kjo lidhet kryesisht me ndryshimin e situatës në Siria, ku një qeveri e përkohshme është vendosur që pas rrëzimit të diktatorit Bashar al-Assad, në fund të vitit 2024.