Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se, panairi në Peshkopi ishte një shembull konkret sesi mbështetja e BE-së i ka ndihmuar fermerët vendas në qarkun e Dibrës të prodhojnë produkte cilësore “Made in Albania”. Delegacioni i BE-së ishte i pranishëm në këtë panair ku patën mundësinë të shkëmbejnë me biznesin vendas të turizmit mbi sfidat me të cilat përballen dhe se si mund t’i mbështesë BE-ja. “Nga gastronomia e shkëlqyer, tek mikpritja e ngrohtë në bujtinat tradicionale, guidat turistike të certifikuara për shtigje me biçikleta, rafting dhe hapja e shtigjeve të reja ecjeje, ata janë të përkushtuar të krijojnë një eksperiencë origjinale dibrane”, thekson Delegacioni i BE-së, në postimin në rrjetet sociale. Delegacioni i BE-së bën të ditur se, vetëm nëpërmjet programit IPARD, BE-ja po investon më shumë se 2 milionë euro në bujqësi dhe zhvillim rural në qarkun e Dibrës, nëpërmjet 25 granteve, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt fermerët dhe sipërmarrësit. “Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Shqipërinë në zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve që jetojnë në hapësirën rurale”, shprehet Delegacioni i BE-së, teksa ka publikuar edhe foto nga panairi në Peshkopi.