Rrjetet sociale duket se luajtën një rol të rëndësishëm në nxitjen e lëvizjes.

Shumë migrantë thanë se kishin parë në TikTok video dhe mesazhe që pretendonin se kufiri, i cili zakonisht ruhet rreptësisht, ishte hapur papritur.

Në rrjetet sociale u përhapën gjithashtu pretendime se në Ceuta do të sigurohej akomodim për migrantët dhe se ata do të mund të vazhdonin më pas udhëtimin drejt Spanjës kontinentale.

Informacioni i tillë, edhe kur është i pavërtetë, mund të përhapet shumë shpejt nëpërmjet videove virale dhe mesazheve të shpërndara masivisht, duke ndikuar në vendimet e njerëzve.

Pas një takimi urgjent të vendeve anëtare të BE-së këtë javë, zyrtarët evropianë thanë se mund të forcohen sistemet e paralajmërimit të hershëm, përfshirë monitorimin e rrjeteve sociale.

Qëllimi është që institucionet evropiane të identifikojnë më shpejt zhvillimet e pazakonta dhe të kenë një vlerësim të përbashkët të situatave që mund të shndërrohen në kriza.

Virkkunen u takua dje me përfaqësues të TikTok dhe Meta-s, kompanisë që ka në zotërim  Facebook-un.

Pas takimit, ajo theksoi se platformat duhet të veprojnë më vendosmërisht për të ruajtur integritetin e hapësirës digjitale, sidomos gjatë krizave.

Ajo kërkoi gjithashtu monitorim më të madh të përmbajtjeve dhe bashkëpunim më të fortë me organizatat e verifikimit të fakteve.

Rasti i Ceutës po shihet kështu nga BE-ja si një shembull se si rrjetet sociale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e një krize reale, jo vetëm duke informuar publikun, por edhe duke përhapur me shpejtësi pretendime të pakonfirmuara që mund të ndikojnë në sjelljen e mijëra njerëzve.