Bashkia Tepelenë dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po koordinojnë procesin e hartimit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Vjosa. Bashkia Tepelenë njofton se do të diskutojë dhe bashkëpunojë me të gjithë aktorët e linjës për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Vjosa. Në bashkëpunim me komunitetin, përfaqësues të biznesit, qeverisë vendore dhe qendrore, si dhe me ekspertë të konservimit natyror, hartimi i këtij Plani synon mbrojtjen e bukurive natyrore të Vjosës dhe mirëqënien e komunitetit. Në këtë kuadër Bashkia Tepelenë, fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në konsultimin publik që organizohet në datë 8 Shtator pranë Bashkisë Tepelenë në orën 9.00 ku do të diskutojmë aktivisht për të kontribuar në hartimin e Planit. Procesi i studimit të shpalljes së lumit Vjosa si “Park Kombëtar” është certifikuar nga IUCN – Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës. Parku i ri kombëtar në Vjosë mbulon një sipërfaqe prej mbi 12700 hektarësh. Parku është renditur nga Organizata Botërore e Ruajtjes së Natyrës (IUCN) si zonë e mbrojtur e kategorisë II, e cila kërkon që Vjosës dhe disa prej degëve kryesore të saj t’i jepet mbrojtje gjithëpërfshirëse ndërkufitare sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Vetëm në rrjedhën e gjerë të mesme të Vjosës, ku lumi gjarpëron dhe ka krijuar një shtrat të gjerë deri në tre kilometra, me brigje të mëdha gurësh dhe guralecash, ka më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, duke përfshirë më shumë se një duzinë që janë në Listën e kuqe të IUCN, të specieve të kërcënuara.
Bashkia Tepelenë, konsultim publik për planin e menaxhimit të Parkut Kombëtar Vjosa
RELATED ARTICLES