Bashkia e re Sarandë kufizohet në veri me bashkitë Himarë dhe Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Finiq dhe në perëndim me detin Jon. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Sarandës. Bashkia e re ka dy njësi administrative, qytetin e Sarandës dhe komunën e Ksamilit. Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re e Sarandës ka një popullsi prej 20,227 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë si popullsi banuese 50,680 banorë.
Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 58.96 km2 me densitet popullsie 859.56 banorë/km2. Bashkia e re Sarandë përbëhet tërësisht nga vija bregdetare nga Koka e Qefalit në veri deri te Kanali i Vivarit në jug, ku shërbimet e turizmit detar dhe kulturor përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave. Asetet kryesore ekonomike të qytetit janë deti, peshkimi, liqeni i Butrintit dhe pasuritë e stërmëdha arkeologjike, parku arkeologjik i Butrintit dhe objekte të tjera të rëndësishme si Manastiri i 40 Shenjtorëve, Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i Shën Gjergjit, rrënojat e kalasë së qytetit etj.
Në territorin e kësaj bashkie gjenden 118 objekte të regjistruara si monumente kulture të kategorisë së parë. Bashkia e re do të ketë në territor të saj edhe liqenin e Butrintit, i cili është një qendër e rëndësishme e prodhimit të midhjeve dhe për peshkimin.