Malësia e Madhe kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë Shkodër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Koplikut. Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia e Malësisë së Madhe është 30,823 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka 53,918 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 951.01 km2 me një densitet prej 56.69 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 32.41 banorë/km2 sipas Censusit 2011. Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Kopliku, Gruemira, Kastrati, Kelmendi, Qendra dhe Shkreli.
Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Koplik dhe Bajzë) dhe 56 fshatra. Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, siç janë Liqeni i Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Turizmi, blegtoria dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone.