Në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për avancimin e kërkimeve shkencore dhe inovacionit në fushën e kontrollit, kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Xheladin Draçini, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit, Prof. Asc. Linda Pustina, Zv.Rektorja e UMT, Prof. Suela Këlliçi, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Margarita Gjata dhe stafet përkatëse të dy institucioneve.

Synimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i kapaciteteve profesionale, promovimi i teknologjive të qëndrueshme dhe harmonizimi i standardeve kombëtare me ato ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin shkencor dhe ekonomik të vendit.

Rektori Prof. Xheladin Draçini e vlerësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për përparimin e kërkimeve shkencore dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve strategjike për rritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale në Shqipëri.