Aspirina, një nga ilaçet më të vjetra dhe më të përdorura në botë, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për një efekt të ri. aftësinë për të reduktuar rrezikun e disa llojeve të kancerit, sipas BBC.
Studimet e fundit tregojnë se kjo substancë, e përdorur zakonisht kundër dhimbjes dhe inflamacionit, mund të parandalojë formimin dhe përhapjen e tumoreve, veçanërisht tek personat me rrezik të lartë gjenetik.
Një rast i tillë është ai i pacientëve me sindromën Lynch, një gjendje që rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të zorrës së trashë. Në një studim afatgjatë, personat që morën aspirinë çdo ditë për disa vite kishin rreth 50% më pak gjasa të zhvillonin këtë lloj kanceri.
Këto rezultate kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e udhëzimeve shëndetësore në disa vende, ku rekomandohet përdorimi i saj nën mbikëqyrje mjekësore për grupet në rrezik.
Historia e aspirinës shkon mijëra vite pas në kohë. Substanca e saj bazë rrjedh nga lëvorja e shelgut, e përdorur nga qytetërimet e lashta për të trajtuar dhimbjen dhe temperaturën.
Në fund të shekullit XIX, u zhvillua forma moderne, acidi acetilsalicilik që është më i sigurt për stomakun dhe u bë një nga ilaçet më të përhapura globalisht.
Përveç përdorimit si qetësues dhimbjeje, aspirina njihet për efektin e saj në hollimin e gjakut, duke ulur rrezikun e mpiksjes dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Pikërisht ky mekanizëm duket se lidhet edhe me efektin kundër kancerit. Ajo ndikon në trombocitet e gjakut dhe në substanca të caktuara që ndihmojnë qelizat kancerogjene të përhapen në trup.
Shkencëtarët kanë zbuluar se aspirina mund të bllokojë enzima si COX-2, të cilat janë të përfshira në rritjen e pakontrolluar të qelizave. Një tjetër mekanizëm i mundshëm lidhet me sistemin imunitar: duke reduktuar një faktor që ndihmon mpiksjen e gjakut, aspirina mund t’i bëjë qelizat kancerogjene më të dukshme për qelizat mbrojtëse të organizmit, duke ndihmuar në eliminimin e tyre.
Megjithatë, përdorimi i aspirinës nuk është pa rrezik. Efektet anësore mund të përfshijnë irritim të stomakut, ulçera dhe në raste të rralla gjakderdhje serioze. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se ajo nuk duhet të merret si masë parandaluese pa këshillën e mjekut, sidomos tek personat e shëndetshëm.
Ndërsa kërkimet vazhdojnë për të kuptuar më mirë rolin e aspirinës në parandalimin e kancerit, ajo mbetet një nga shembujt më interesantë të një ilaçi të vjetër që po zbulon përdorime të reja. Në të ardhmen, mund të bëhet pjesë e strategjive parandaluese për grupe të caktuara pacientësh, duke kontribuar në uljen e barrës globale të kësaj sëmundjeje.





