Armando Broja, sulmuesi kryesor i Shqipërisë, nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjet e radhës kualifikuese të Kampionatit Europian 2024. Bëhet fjalë për transfertën ndaj Republikës së Çekisë më 7 shtator dhe ndeshjes me Poloninë më 10 shtator në stadiumin “Arena Kombëtare”. Broja vjen nga një dëmtim i gjatë dhe për rrjedhojë, të paktën edhe sipas trajnerit Silvinjo, Çelsi ka një protokoll riaftësimi për Brojën. Dhe në respekt të asaj që ka vendosur klubi londinez, apo dhe në të mirë të lojtarit, pavarësisht përgjigjes që nuk i pëlqen kuqezinjve, Broja nuk do të jetë për këto dy sfida të rëndësishme për kuqezinjtë. Broja nuk ishte as në ndeshjet e qershorit në fitoret 2-0 me Moldavinë dhe 3-1 me Ishujt Faroe. Madje nuk ka qenë as në sfidën e parë me Poloninë, që do të thotë se nuk ka luajtur asnjë nga kualifikueset e Kampionatit Europian, ndërsa aktivizimi i fundit është në miqësoren me Italinë më 16 nëntor 2022 në “Arenën Kombëtare”. Shqipëria do ta nisë grumbullimin e kombëtares më 29-30 gusht, kurse Broja do të jetë përsëri një mungesë e rëndësishme për kuqezinjtë e Silvinjos. ATSH