Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu tha se “fruthi është një sëmundje infektive që transmetohet tek të tjerët dhe mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht tek fëmijët e vegjël. Vaksina kundër fruthit, e përfshirë në kalendarin kombëtar të vaksinimit, aplikohet tek fëmijët në moshën 12 muaj dhe 5 vjeç, duke ofruar mbrojtje të sigurt dhe afatgjatë”.

“Nëse ende nuk e keni vaksinuar fëmijën tuaj, kontaktoni menjëherë mjekun e familjes”, tha Koçiu.

Dr. Sonila Brati, mjeke pediatre në një video të publikuar nga ministrja Koçiu, tha se “vaksinimi është një nga elementët më të rëndësishëm në rritjen dhe jetëgjatësinë e fëmijëve”.

“Fëmijët duhet të vaksinohen nga 0 vjeç deri në 18 vjeç. Vaksina e fruthit bëhet në dy doza në moshën 1 dhe 5 vjec. Nëse nuk aplikohet komplikimet janë shumë të rënda tek një fëmijë duke prekur veshin me infeksione të rënda, trurin dhe mushkërinë”, tha ajo.

“Ne si mjekë bëjmë apel që vaksinimi duhet bërë, nuk duhet refuzuar dhe të dëgjohen këshillat e mjekut. Nëse nuk vaksinohen fëmijët, problematikat në të ardhmen mund të jenë shumë të rënda”, tha Brati.