Fondi “Kosova” përbën një burim të çmuar për hulumtuesit, duke përfshirë dokumente mbi demonstratat e vitit 1981 dhe lëvizjet politike të viteve 1988-1989, por edhe mbi gjendjen e institucioneve arsimore e kulturore të asaj kohe., ndërkohe që shumë shqiptarë me origjinë nga Kosova, shtetas të ish- Jugosllavisë, mund të gjejnë dokumente për ta nëse janë ndjekur nga Ish – Sigurimi i Shtetit në fondet të tjera arkivore që nuk i përkasin këtij fondi.
Drejtori i Arkivit në Autoritetin për Informim dhe mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit 1912-1991, Anton Dukagjini shprehet se mes dokumenteve të shumta të ruajtura, veçohen disa dosje të rëndësishme, që hedhin dritë mbi ngjarjet më dramatike të historisë moderne të Kosovës: “Të dhëna nga burimet tona” – Një dosje me tre vëllime dhe 687 faqe mbi demonstratat e Kosovës.
Dosjet mbi goditjet e mars-prill 1981 – Dy vëllime me 531 faqe, që dokumentojnë ndodhitë pas protestave.
Demonstratat e marsit 1982 – Një dosje me 2 volume dhe 593 faqe, që analizon lëvizjet e mëtejshme studentore.
Rezidenca e Beogradit (1972-1981) – Analiza dhe diskutime politike të ruajtura në 149 faqe.
Fashikulli mbi ngjarjet e Kosovës (prill-maj 1981) – Një dokument me 211 faqe, që përmban raportime të detajuara mbi zhvillimet e atyre muajve vendimtarë.
Seria e dosjeve të “goditjeve në Kosovë” (1975-1990) – Dokumente me qindra faqe që zbulojnë prapaskenat e represionit shtetëror.
Fondi ruan gjithashtu dokumente të rëndësishme mbi personalitete të shquara, si Isuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Adem Demaçi e shumë të tjerë, duke ofruar një mundësi të rrallë për studiuesit që dëshirojnë të kuptojnë më thellë historinë dhe rezistencën e Kosovës.
Për studiuesit dhe të interesuarit, dokumentet e ‘Fondit Kosova’ mund të konsultohen përmes aplikimit në faqen zyrtare të Autoritetit të Dosjeve. Një pjesë e këtyre materialeve tashmë është e skanuar dhe do të jetë e aksesueshme edhe përmes arkivës digjitale së institucionit.
Hapja e këtij fondi shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e historisë së Kosovës dhe ruajtjen e kujtesës historike, duke u dhënë studiuesve mundësinë të hulumtojnë mbi një periudhë që ka lënë gjurmë të thella në fatet e kombit shqiptar.