Dy emra të shquar të skenës ndërkombëtare në fushën e baletit, Angelin Preljocaj dhe Erion Kruja, sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dy balete të veçanta: “La Stravaganza” dhe “Intricate Threads of Humanity”. Këto dy vepra artistike vijnë si një eksplorim i përvojës njerëzore, ku baleti bëhet gjuha universale që shpreh ndjenjat, kontrastet dhe kompleksitetin e jetës.

“La Stravaganza”, e cila rivjen në TKOB, është një vepër që ndërthur elementet e traditës me ato të modernitetit. Ajo është krijuar nga Angelin Preljocaj, një nga koreografët më të njohur bashkëkohorë me origjinë shqiptare.

Me një koreografi të fuqishme dhe ekspresive, ky balet eksploron kalimin mes epokave, ndikimin e ndryshimeve kulturore dhe përplasjen mes botës së vjetër dhe asaj të re.

Ndërkohë, koreografi Erion Kruja, një tjetër artist shqiptar me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, sjell premiere absolute në skenën e TKOBAP-së “Intricate Threads of Humanity”, një vepër që zhytet në thellësitë e sjelljes dhe emocioneve njerëzore.

Me një qasje të guximshme ndaj koreografisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj muzikës dhe skenografisë, Erion Kruja do të krijojë një eksperiencë të paharrueshme për publikun.

Këto dy balete do të vijnë për publikun artdashës në datat 24, 25 dhe 27 shkurt.