Autoritetet në Amsterdam kanë paralajmëruar turistët problematikë britanikë me anë të një fushate të ashtuquajtur “Qëndroni larg”, sipas BBC. Këshilli i qytetit holandez ka nisur një fushatë digjitale dekurajimi, që shënjestron burrat e moshës 18 deri në 35 vjeç në Britaninë e Madhe. Nisma është pjesë e përpjekjeve për të pastruar reputacionin e shfrenuar të Amsterdamit si kryeqyteti më liberal i Evropës. Fushata përfshin reklama në internet, që do të shfaqin rreziqet që lidhen me përdorimin e tepruar të drogës dhe pijeve alkoolike nga turistët britanikë në Amsterdam. Mesazhi promocional nuk ka kompromis, një fundjavë e gjatë në Amsterdam mund të krijojë modelin e gabuar të kujtimeve, arratisja në kryeqytetin e njohur të festave mund të rezultojë në një dënim të pashmangshëm. Për vite të tëra, banorët janë ankuar për sjelljen e pahijshme të britanikëve të dehur që urinojnë në publik, zhvishen dhe përfshihen në përleshje të dehur. Ky nuk është një fenomen i ri. Pothuajse një dekadë më parë, kryebashkiaku i atëhershëm i Amsterdamit ftoi homologun e tij në Londër, Boris Johnson, për të parë vetë shqetësimet që shkaktonin britanikët. Kritikët argumentojnë se fushatat reklamuese janë diskriminuese dhe bazohen në stereotipe të padrejta. Në Holandë, kafenetë lejohen të shesin kanabis për sa kohë që ndiqen disa kushte strikte, si psh. të mos shërbehen pije alkoolike ose t’u shiten të miturve. Amsterdami është një nga qytetet më të vizituara në botë. Rreth 20 milionë vizitorë, duke përfshirë një milion turistë britanikë, vizitojnë çdo vit qytetin, i cili ka një popullsi prej rreth 883 000. atsh
Amsterdami,paralajmëron turistët problematikë britanikë
RELATED ARTICLES