Ligji për amnistinë fiskale ishte një ndër çështjet që u trajtua sot pas nënshkrimit në Tiranë të Marrëveshjes së Përbashkët mes Ministrisë së Brendshme, Bankës së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për luftën ndaj falsifikimit të monedhave. Marrëveshja u firmos në ambientet e Bankës së Shqipërisë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha ndër të tjera se kjo marrëveshje vjen edhe si një detyrim që kemi ndaj, edhe partnerëve ndërkombëtarë duke përmendur kapitullin 24 dhe 32 të negociatave me Bashkimin Europian. “Besoj se duke u lidhur në marrëveshje të tilla midis agjencive të ndryshme, midis institucioneve të ndryshme, duke filluar nga Prokuroria që është organi kompetent për ndjekjen penale, Policia e Shtetit që, në njëfarë mënyre ushtron të gjithë veprimtarinë hetimore dhe Bankën e Shqipërisë që mbart të gjithë ekspertizën, unë mendoj që ne krijojmë një terren dhe në këtë mënyrë bëhet shumë më efikase lufta ndaj kësaj vepre penale, e cila ka një rëndësi të posaçme, sepse nuk lidhet drejtpërdrejt me dëmin që pëson personi që mund të jetë viktimë apo që mund të tentojë të viktimizojë dikë nëpërmjet ofrimit të parasë apo nëpërmjet veprimeve për falsifikimin e parasë, pra monedhës/kartëmonedhës, çfarëdo qoftë ajo, por, ndikon edhe në një lloj destabiliteti makro-ekonomik dhe për këtë arsye duhet që ne jo vetëm t’i godasim, por edhe t’i dokumentojmë sa më saktë. Për këtë qëllim, në marrëveshje ne kemi vendosur edhe prioritetin që duhet të informojmë njëri-tjetrin në lidhje me sasinë, vendin, personat që kryejnë këto krimet etj”, tha Çuçi. Ai tregoi më tej për një strukturë të posaçme në Policinë e Shtetit që ndjek rastet e falsifikimit të parave. “Në Policinë e Shtetit ne tashmë e kemi krijuar atë strukturë të posaçme, që edhe në marrëveshje vlen si një lloj angazhim i joni, por edhe siç e thashë dhe me BE një lloj detyrimi që kemi. Sot në Policinë e Shtetit është krijuar Zyra Qendrore Kundër Falsifikimit të Monedhave, që do të merret vetëm me këtë figurë të veprës penale, duke e konsideruar si një figurë të posaçme. Unë besoj se do kemi përveç se rezultateve më të mira, si rezultat i këtij bashkëpunimi më të ngushtë, por do ndihmojmë shumë sidomos në dokumentimin siç thashë qoftë të sasive të sekuestruara apo të konfiskuara të këtyre monedhave të falsifikuara, dhe në një lloj baze të dhënash me personat, me makineritë që përdoren e kështu me radhë”, tha Çuçi. I pyetur nga gazetarët lidhur me nismën ligjore për amnistinë fiskale, ministri i Brendshëm tha se për këtë ligj po punohet edhe me ekspertët europianë. “Jo vetëm i kemi marrë dhe po i marrim në konsideratë të gjitha vërejtjet që ne shohim se janë të vlefshme për ta përmirësuar draftin për aministinë fiskale, por mund t’ju them dhe një informacion që ndoshta nuk e keni, se ne këtë ligj po e punojmë ngushtësisht me ekspertë europianë. Jo vetëm marrim opinionet e tyre, marrim vërejtje, konsultohemi, por grupi i punës që punon përditë, është bërë me ekspertizë të paguar nga vendet e BE. Pa diskutim që jemi në sinkron me partnerët tanë në lidhje me këtë ligj, dhe siç e tha dhe Guvernatori, ai është një instrument ligjor që më së shumti shkon për të formalizuar ekonominë dhe shumë i dobishëm për Shqipërinë”, tha Çuçi. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka deklaruar se rritja e transparencës ndihmon dhe në hetime. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ka qenë prioritet i punës së Prokurorisë gjatë viteve të fundit. Ne kemi një sistem tashmë të strukturuar mirë që sektorët janë angazhuar në këtë aspekt, mund të them që rezultatet janë inkurajuese dhe kanë ardhur duke u përmirësuar dhe kjo është vlerësuar dhe në dokumentet ndërkombëtarë ku pasqyrohen rezultatet e Shqipërisë”, tha Çela. Kryeprokuror theksoi se, “ju siguroj që angazhimi i Prokurorisë është maksimal dhe besoj dhe jam optimist që shifrat do të vijnë duke u përmirësuar dhe pa diskutim që ne nuk jemi vetëm aktorë në këtë fushë. Janë disa institucione të përfshira. E rëndësishme është formalizimi i ekonomisë dhe kjo pa diskutim ndihmon dhe hetimet tona pasi rritja e transparencës, kemi një tablo më të qartë për hetimet që kryen qoftë Policia Gjyqësore, qoftë Policia e Shtetit apo Prokuroria. Angazhimi ynë do të jetë maksimal në çdo aspekt dhe në të ardhmen”. ATSH
Amnistia fiskale, instrument ligjor për formalizimin e ekonomisë
RELATED ARTICLES