Amnistia fiskale: Akte nënligjore për korrektësi dhe transparencë

0
15

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se paralel me konsultimin e projektligjit të amnistisë fiskale, po punohet edhe për hartimin e akteve nënligjore që do të garantojnë zbatimin e tij me korrektësi dhe transparencë. Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj foli për konsultimet që po kryhen për ligjin e amnistisë fiskale. “Amnistia fiskale është ligj që tashmë është në një fazë të pjekur, pasi është konsultuar gjerësisht si me grupet e interesit në vend, edhe me institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, por edhe me të gjithë aktorët ndërkombëtarë”, tha ajo. Ibrahimaj theksoi se proceset e konsultimit kanë vijuar gjatë dhe diskutimet si me BE-në, por edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë janë ende në proces. “Ne e kemi theksuar shpeshherë se është e rëndësishme që ky projektligj të jetë i hartuar si duhet, por është shumë e rëndësishme gjithashtu që të vijë i zbatuar si duhet. Ne jemi paralelisht duke punuar për aktet nënligjore që do të shoqërojnë projektligjin të cilat janë po aq të rëndësishme sa projektligji vetë, pasi do të garantojnë zbatimin e tij me korrektësi dhe transparencë”, tha ajo. Ibrahimaj theksoi se është një projektligj i vështirë dhe do të dojë kohën e tij për t’u përfunduar ashtu sikurse do të duan edhe kohën e vetë aktet nënligjore për tu përfunduar. “Vetëm kur ne të kemi të gjitha detajet e akteve dhe të ligjit, atëherë do t’i kalojmë në Këshill të Ministrave dhe do të fillojmë në procesin e miratimit përfundimtar të tij”, tha ministrja. atsh