Kompania mëmë e Google, Alphabet, ka njoftuar lindjen e një startup-i të ri, që synon të zbulojë ilaçe dhe trajtime të reja mjekësore duke përdorur Inteligjencën Artificiale (IA). ”Isomorphic Labs” do të përdorë platformat kompjuterike të DeepMind, të blera në 2014 nga Google, për të përshpejtuar kërkimin shkencor. Baza është AlphaFold2, një program që bën parashikime për strukturën e proteinave. I konceptuar si një sistem mësimi i thellë, në versionin e tij të dytë, motori është në gjendje të parashikojë strukturën 3D të një proteine, drejtpërdrejt nga sekuenca e saj aminoacide. “Ne besojmë se duke përdorur metoda llogaritëse dhe inteligjente artificiale mund t’i ndihmojmë shkencëtarët ta çojnë punën e tyre në një nivel tjetër, duke përshpejtuar procesin e zbulimit të ilaçeve”, theksoi Demis Hassabis, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Isomorphic Labs, në shënimin zyrtar të lëshuar nga Alphabet. Isomorphic Labs nuk është kompania e parë e lindur me synimin për të zbuluar barna të reja përmes algoritmeve të fuqizuara nga IA. Që nga viti 2012, në Toronto vepron Atomwise, një start-up universitar që kërkon të trajtojë problemin e kostove të zhvillimit të ilaçeve. Sipas studimit të fundit të Qendrës Kombëtare të SHBA-së për Informacionin Bioteknologjik, çmimi për të krijuar një ilaç të ri është mesatarisht 1,3 miliardë dollarë. Siç shpjegon raporti, studiuesit aktualisht sintetizojnë fizikisht çdo përbërës individual dhe
më pas e testojnë atë në laborator në kushte të ngjashme me njerëzit.