“Aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë shqiptare që sot janë ndër të preferuarat e gjithë dashamirësve të kinematografisë shqiptare”, shkroi MEKI dedikuar mjeshtrit Vërria.
Lindi në Fier, më 3 shtator 1936 dhe u nda nga jeta në qytetin e Vlorës, më 17 gusht 2015. Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, gjatë viteve 1956 – 1959 punoi si zooteknik. Përfundoi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) dhe në vitin 1963 u emërua aktor në Teatrin e Vlorës.
Në Teatrin e Vlorës u angazhua në mbi 90 role ku spikat ai i Veipit tek “Familja e peshkatarit”. Albert Vërria njihet si aktor karakteresh dhe në kinematografi realizoi mbi 40 role, përfshirë xha Sulon tek “Kapedani” dhe i Nuri Beun tek “Koncert në vitin 36”, role të cilat mbeten të skalitura në kujtesën e publikut. Në vitin 1979, Albert Vërrisë iu dha titulli “Artist i Popullit”.