Zyra e “Cultural Heritage without Borders” (CHwB ), në Tiranë, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” organizoi një aktivitet një javor mbi kujtesën historike në Shqipëri. Ky aktivitet ishte pjesë e ciklit ndërkombëtar të seminareve me titull “Vende dhune, vende mësimi”. Seminari u organizua bashkë me Crossborder factory, me qendër në Berlin, Memoriali i Kampit të Përqendrimit në Neuengamme (Hamburg), Memoriali i Burgut në Montluc (Lyon). Pjesëmarrësit në aktivitet ishin profesionistë të fushës së kujtesës dhe historisë në Shqipëri, Francë dhe Gjermani. Përpos vizitës në muze, pjesëmarrësit patën mundësi të bashkëbisedonin me drejtoreshën e muzeut, Etleva Demollari mbi ecurinë dhe impaktin e punës së muzeut “Shtëpia me gjethe”. Aktivitetet e kësaj jave konsistonin në biseda mbi kulturën e të kujtuarit në Shqipëri, Francë e Gjermani, vizitë në ish-burgun e Spaçit, takime me profesionistë të muzeve etj. Etapa e ardhshme e ciklit “Vende dhune, vende mësimi” do të zhvillohet në Francë.https://ata.gov.al/2022/11/01/aktivitet-nderkombetar-mbi-kujtesen-historike-ne-shqiperi/