Aksioni i pastrimit i nisur të shtunën nga Velipoja në Shkodër është përqendruar në zonën e Vilunit. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci në një postim në rrjetet sociale tha se “në Vilun vijon aksioni i pastrimit, i cili po jep edhe rezultate të dukshme”. Beci falënderoi punën e Forcave të Armatosura dhe secilit kontribues në këtë proces, i cili sipas tij, do të vijojë edhe në zonat e tjera të Velipojës, Shirokës e Zogajt gjatë ditëve në vazhdim. Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “kemi nisur një aksion shumë intensiv pastrimi në Shkodër edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë, për ta rikthyer në normalitet të gjithë territorin, nga pyjet deri në plazhe ku po bëhet gati të nisë piku i sezonit veror”. Pastërtia në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat turistike, është domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por parakusht për zhvillimin e turizmit. Në këtë aksion janë përfshirë Forcat e Armatosura, si bashkëveprim mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektit dhe bashkisë Shkodër. Aksioni do të përfshijë edhe pastrimin e skarpateve në të dyja anët e Urës së vjetër të Bunës, pastrimin e përroit Qendër-Shirokë, pastrimin e mbetjeve të hedhura përgjatë rrugës Shirokë-Zogaj, sistemimin e territorit dhe mbulimin e sipërfaqes dhe pastrimin e inerteve të objekteve të prishura nga IKMT (IMVT). atsh